Çmimi i naftës në Kosovë rreth 2 euro, tregu mbetet i paqartë për ditët në vijim
Dizeli po tregtohet deri në 1.97 euro për litër, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme shtojnë pasigurinë për çmimet.
Çmimet e derivateve në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në nivele të larta, ndërsa zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po shtojnë pasigurinë për ecurinë e tyre në ditët në vijim. Sipas ekspertit të derivateve, Fadil Berjani, aktualisht një litër dizel po shitet rreth 1.95 deri në 1.97 euro, ndërsa benzina rreth 1.65 euro për litër.
Berjani vlerëson se, në kushtet aktuale, është e vështirë të parashikohet drejtimi i çmimeve për shkak të luhatjeve të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe bursat e naftës. “Çmimet e naftës dhe benzinës sillen përafërsisht: dizeli 1.95 euro, benzina 1.65 euro. S’mundemi me paragjyku se çfarë çmime do t’i kemi në ditët në vijim, sepse po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursë. Dhe situata e tensionuar në Iran po reflekton në këto çmime”, tha ai.
Mbi gjysmë miliardi euro të ardhura nga akciza dhe TVSH-ja
Rritja e çmimeve të derivateve ka rikthyer në vëmendje edhe barrën fiskale që përfshihet në çmimin që konsumatori paguan në pompë. Vetëm gjatë vitit të kaluar, akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nga derivatet i sollën buxhetit të Kosovës mbi gjysmë miliardi euro, përkatësisht rreth 360 milionë euro nga akciza dhe 157 milionë euro nga TVSH-ja.
Me rritjen e çmimeve, përfaqësues të industrisë së naftës dhe bizneseve kanë kërkuar që Qeveria të heqë dorë përkohësisht nga një pjesë e këtyre të ardhurave, me synimin për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët. Megjithatë, mbetet e debatueshme nëse një ulje e taksave do të reflektohej automatikisht dhe në të njëjtën masë në çmimet në pompa.
Bizneset kërkojnë masa lehtësuese
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ka kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë, duke argumentuar se shtrenjtimi i karburanteve nuk prek vetëm drejtuesit e automjeteve, por rrit kostot e bizneseve dhe mund të reflektohet më pas në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
“Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka pasur ndikim të madh në ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të konsumit, kostos së ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit”, argumenton DHTIK. Sipas saj, një nga arsyet e mungesës së ndërhyrjes mund të jetë pesha që TVSH-ja dhe akciza kanë në të ardhurat e buxhetit.
DHTIK i ka dërguar zyrtarisht kërkesat për masa lehtësuese Qeverisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Ministria: Rritja lidhet me zhvillimet në Lindjen e Mesme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka deklaruar se po monitoron nga afër tregun, ndërsa ministrja Mimoza Kusari-Lila e ka lidhur rritjen e çmimeve me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Sipas saj, vendimi për përcaktimin e çmimit maksimal ishte hequr për shkak të tejkalimit të afatit të përcaktuar në udhëzimin administrativ.
“Arsyeja e heqjes së vendimit për caktimin e çmimit maksimal ka qenë tejkalimi i afatit në udhëzimin administrativ që e përcakton vendosjen e çmimit maksimal, afat ky i cili ka qenë 90 ditë, ndërsa ne kemi përcaktuar çmimin maksimal për 150 ditë, duke e parë rëndësinë edhe peshën e këtij vendimi”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, rritja e çmimeve nuk lidhet me heqjen e çmimit maksimal, por me përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme. “Rritja e çmimit nuk ka ndodhur si rrjedhojë e heqjes së vendosjes ose përcaktimit të çmimit maksimal, por ka ardhur si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, sulmeve të vazhdueshme. Me një situatë të tillë po përballen tashmë të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian edhe më gjerë”, deklaroi ajo.
Tregu iu rikthye formimit të lirë të çmimeve
Ligji për tregtinë me produkte të naftës përcakton si rregull që çmimet caktohen nga tregu i lirë, por lejon ndërhyrje për mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës apo në rast të çrregullimeve në treg. Në fillim të marsit, pas rritjes së çmimeve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, MINTI vendosi kufizime të marzhës tregtare.
Marzha maksimale e lejuar ishte deri në 2 centë për litër në shitjen me shumicë dhe deri në 12 centë për litër në shitjen me pakicë. Më 4 shtator, Ministria ndaloi përcaktimin e çmimeve maksimale dhe tregu iu rikthye formimit të lirë të çmimeve. Që prej asaj kohe, çmimi maksimal i naftës është rritur dhe nivelet aktuale në tregun vendor janë afruar sërish me 2 euro për litër.
Akciza 0.36 euro për litër, TVSH-ja 18%
Për çdo litër naftë të importuar paguhet akcizë prej 0.36 eurosh, ndërsa mbi bazën e tatueshme aplikohet edhe TVSH-ja prej 18%. Akciza për derivatet e importuara administrohet nga Dogana e Kosovës dhe derdhet në buxhetin e shtetit, ndërsa TVSH-ja është tatim mbi konsumin dhe përfundimisht bartet te konsumatori përmes çmimit të produktit.
Nga fillimi i vitit 2022 deri në shtator 2026, Kosova ka importuar naftë në vlerë prej mbi 2.6 miliardë eurosh. Vendi furnizohet me derivate nga tregje të ndryshme, përfshirë Arabinë Saudite, Shtetet e Bashkuara, Kuvajtin, Indinë, Greqinë dhe Italinë. Një pjesë e importeve arrin përmes porteve të rajonit, përfshirë Porto Romanon në Durrës, ndërsa derivate blihen edhe përmes kompanive dhe distributorëve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)